Adriatik Kelmendi thotë se është në hall nga militantët e VV-së pas intervistës me Kurtin

Autori i emisionit “Rubikon”, Albin Kurti ka reaguar pas kritikave që disa anëtarë të Vetëvendosjes adresuan në drejtim të tij për intervistën e mbrëmshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kelmendi e sheh si pozitive që kjo intervistë është komentuar shumë, duke thënë se kjo po ashtu është një ndër intervistat më të shikuara në vend.

Mirëpo, ai është shprehur se që nga mbrëmë ka qenë në hall nga militantët e VV-së të cilët e kanë akuzuar se e ka “ngucur” shumë Kurtin, e në anën tjetër ata të LDK-së e kanë kritikuar po ashtu se e ka “kursyer” shumë.

Për linçimet publike që Kelmendit ia bënë Elvis Hoxha dhe Sami Kurteshi, zyrtarë të lartë të VV-së, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Reagimi i plotë:

Intervista e mbrëmshme me kryeministrin Kurti ishte ndër më të shikuarat dhe më të komentuarat në Kosovë.

Kam marrë me qindra lëvdata e përgëzime!

Edhe Kurti, ashtu si dhe unë, vlerësuam se realizuam një intervistë shumë të mirë bashkë.

Ai e prezantoi veten ashtu siç beson se është dhe se duhet ta prezantojë në nivelin e përgjegjësisë më të lartë shtetërore, si kryeministër.

Kurti e pranoi se ka ndryshuar. Unë pajtohem se ky është ndryshimi më pozitiv i Kurtit ndonjëherë.

Në hall jam vetëm me disa militantë të LDK-së të cilët po thonë “e kurseve shumë” dhe disa militantë të LVV-së që po thonë “e nguce shumë”.

P.S. 1) Uroj që edhe militantët e LVV-së përfundimisht të ndryshojnë pozitivisht si Albin Kurti

P.S. 2) Uroj që edhe militantët e LDK-së ta kuptojnë se Kurti është kryetar i qeverisë së tyre

P.S. 3) Hajgare është që jam “në hall” me reagimet e militantëve. Në fakt, për mua, kjo është lëvdata më e mirë e mundshme si profesionist i zanatit ? Ju dua pa dallim dhe vazhdoni ta shikoni Rubikonin. Shihemi sonte në takimin e radhës në orën 20:00 n’ KTV.