Adriatik Kelmendi “dëshifron” se si erdha letra e Trumpit për Thaçin dhe kalimi i rezolutës

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Trump ndër tjerash shkruan se përkrah Kosovën sovrane dhe dëshiron ta ndihmojë atë, duke kërkuar marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë.

Përpos përkrahjes, Trump ka alarmuar në letrën e tij se në rast që nuk arrihet kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku nuk do të ketë fitues absolut – atëherë Kosova nuk mund ta ketë edhe një rast tjetër historik për një kohë të gjatë, raporton Ballkani.info.

Gazetari, Adriatik Kelmendi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se Thaçi letrën nga Trump e ka marrë gjatë së premtës, ditën kur Kuvendi i Kosovës votoi projekt-ligjet për fillimin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

“Thaçi ka vendosur të mos e bëjë publike atë ditë, ndonëse kishte qenë në pritje të saj. Me letrën e njeriut më të fortë në botë në xhep, të premten pra, Thaçi i thotë PDK-së se, pas refuzimit fillestar, tashmë ai është i pajtimit që të shkohet përpara me rezolutën dhe projektligjin e PSD-së, si dhe Ekipin Negociator”, ka shkruar ndër tjerash Kelmendi.

Postimi I plotë:

Letra e Presidentit Trump i është dorëzuar Presidentit Thaçi (Ambasadës së Kosovës në Ëashington DC) të premten, më 14 dhjetor.
Thaçi ka vendosur të mos e bëjë publike atë ditë, ndonëse kishte qenë në pritje të saj. Me letrën e njeriut më të fortë në botë në xhep, të premten pra, Thaçi i thotë PDK-së se, pas refuzimit fillestar, tashmë ai është i pajtimit që të shkohet përpara me rezolutën dhe projektligjin e PSD-së, si dhe Ekipin Negociator.
“Çkado, vetëm ecni!”.
PSD-ja, e edhe Nisma, AAK-ja dhe disa të tjerë nga PDK-ja, të befasuar, vendosin që të shtunën menjëherë t’i hedhin ne votim. Jo pak të hutuar mbesin edhe LDK-ja dhe VV-ja. Rezolutës nuk mund t’i bëjnë shumë vërejtje, se pak a shumë ka përfshirë edhe qëndrimet e tyre për rol të Kuvendit dhe mosnegociim të integritetit shtetëror.
Ndërkohë të hënën ndodhë ekzaltimi me performancën e Haradinajt paradite në Bruksel dhe ekzaltimi me debatin e Thaçit me Vuçiqin në mbrëmje në Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Të martën… të martën Thaçi vendos se tashmë mund ta bëjë publike letrën.
Aty Trump paralajmëron “nënshkrimin e marrëveshjes” dhe “zvetënimin tragjik” të situatës nëse kjo marrëveshje nuk ndodhë.
Një letër të këtillë pritet ta marrë (lexo: ta bëjë publike) edhe Vuçiqi.
Java i ka edhe pesë ditë…