Adoleshenti nga Irlanda, Fionn Ferreira, e ka fituar çmimin e Panairit të Google për Shkencë për vitin 2019 për projektin e tij ku ka arritur t’i heqë mikroplastikat nga uji.

Kjo garë organizohet për çdo vit ku pjesëmarrës janë studentë nga mosha 13 vjeçare deri në atë 18 vjeçare.

Ferreria u shpërblye të hënën me rreth 45 mijë euro bursë në një ceremoni çmimesh në selinë e Google në Mountain View të Kalifornisë, shkruan The Journal.

Ferreira ishte në mesin e 24 finalistëve të zgjedhur nga një listë prej 100 garuesish që luftuan për çmimin kryesor.

Mikroplastikat dhe mikrorruazat përdoren kryesisht në sapunë, xhel dushi, si dhe pastrues të fytyrës, ndonëse mund të gjenden edhe në pastë të dhëmbëve si dhe në materiale për gërryerje.

Në ujëra, peshqit dhe speciet e tjera ujore i ngatërrojnë këto grimca për ushqim dhe i konsumojnë duke i futur ato në zinxhirin ushqimor.

Ndërkaq, Ferreria ka arritur të ketë sukses duke përdorur ferrofluide (kombinim i vajit, pluhurit të magnetitit si dhe magneteve) për t’i hequr mikroplastikat nga uji.

Në njëmijë teste, ai ka mundur t’i heqë mbi 87 përqind të mikroplastiakve nga mostrat e ujit.

“Metoda e përdorur ishte më efikase në fibrat e marra nga makina e larjes dhe më pak efikase në plastikat polipropilene (polypropylene)”, ka thënë Ferreira.

Ai po ashtu ka deklaruar që propozimi i tij mund ta krijojë “bazën për një mënyrë efektive të heqjes së mikroplastikave nga uji”.

“Hapi i ardhshëm është që ta ngrisim këtë në shkallë industrial”.

loading…