Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka emëruar dhe organet e reja të partisë, ndërsa Adnan Merovci, ish-bashkëpunëtorin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, është zgjedhur anëtar i ri i Këshillit të Përgjithshëm i këtij subjekti.
Veç Adnan Merovcit, anëtar i ri i Këshillit të Përgjithshëm u zgjodh edhe i biri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.
Por pse kishte mbetur kaq gjatë jashtë strukturave të LDK-së, Mervoci?
Ai gjatë kësaj kohe është përfolur edhe si i afërt me PDK-në dhe Hashim Thaçin, shkruan Ballkani.info.
Po ashtu Merovci ka qenë edhe kryeshef ekzekutiv i Post-Telekomit të Kosovës, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor dhe kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave.
Se Merovci dëshironte të ishte pjesë e politikës, këtë e pati thënë hapur edhe në vitin 2012, më saktësisht në gusht të atij viti.
Aso kohe Mervoci ishte gati të bëhej pjesë e AAK-së së Ramush Haradinajt. Ai nuk e kishte përjashtuar mundësinë që partia e tij e ardhshme të jetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai po ashtu pati bërë me dije se është në negociata edhe me partitë e tjera për t’u angazhuar politikisht.
Ish-shefi ekzekutiv i PTK-së, edhe pse ka thënë se nuk ka ambicie të mëdha politike, është shprehur se pa përkrahje politike nuk ka as realizim profesional.
“Profesioni im është menaxhimi, e pa përkrahje politike mbetesh rrugëve. Kjo nuk do të thotë se duhet të veprosh kundër parimeve tua. Cila parti të më ofrojë fushë më të mirë atje do të shkoj”, pati thënë në 2012 Merovci.
Sipas tij, koalicioni PDK – AAK është zgjidhja më e mirë për Kosovën pasi që vetëm atëherë do të kishim qeveri të fortë me opozitë të fortë. /Ballkani.info/







