Admir Molla i kishte kërkuar Kosnettit të mos përzihej në punët e Kosovës edhe gjatë Kurtit I

Admir Molla, mbështetësi i LVV-së i cili nga Amerika mban kontakte të vazhdueshme me Kryeministrin Kurti, kur po rrëzohej Qeveria e parë e kreut të LVV-së në mars të vitit të kaluar, i kishte treguar diplomatit të dërguar amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, rolin e ambasadorit, ndërsa i kërkonte atij të mos përzihej në punët e brendshme të Kosovës.

Admir Molla, bashkëpunëtor i Kryeministrit Albin Kurti, ka kohë që e kritikon rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Dje u raportua se si Molla ia kishte tërhequr vërejtjen para pak ditësh Ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett, pasi diplomati amerikan tha së fundmi se Kosova ka detyrim që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Këto s’ishin vërejtjet e para të Mollës drejt përfaqësuesve të SHBA-së në Kosovë. Vitin e kaluar, kur Albin Kurti pati ardhur në pushtet për herë të parë, Molla, i cili vetë jeton në SHBA, e kritikonte rolin e Ambasadorit Kosnett.

Kur Qeveria Kurti 1 do të rrëzohej të nesërmen me një mocion në Kuvend, teksti i të cilit theksonte prishjen e raporteve me SHBA-në, Ambasadori Kosnett deklaronte se me kënaqësi priste ta ndiqte seancën ku qe rrëzuar ajo qeveri.

“I kënaqur të shoh që nesër Kuvendi do të mbajë një seancë për mocion mosbesimi. Siç i thashë Kryeministrit sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës ta respektojnë Kushtetutën”, shkruante Kosnett në Twitter.

Ambasadorit i kishte replikuar Admir Molla, një shqiptar i cili jeton në New York, e me të cilin Kryeministri Kurti bisedon për raportet e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i kishte thënë Ambasadorit Kosnett që të mos përzihej në punët e brendshme të Kosovës, në një pretendim me të cilin besonte se po ia tregonte diplomatit amerikan rolin e ambasadorit.

“Cili është roli i një ambasadori? Vetëm në Kosovë ju njerëz shëtisni si mbretër apo mbretëresha. Kosova është shtet sovran dhe ju nuk duhet të përziheni në punët e tyre të brendshme”, shkruante Molla.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ditë më parë ka thënë se SHBA-ja beson që Kosova ka detyrim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se historia s’ka filluar me krijimin e Qeverisë Kurti. Një deklaratë e tillë e Kosnett ka nxitur reagime të shumta, derisa vetë Kurti në kundërpërgjigje, ka insistuar se Kosova s’mund të themelojë Asociacion njëetnik.

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Admir Molla, i cili është pjesë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që nga publikimet në rrjete sociale shihet që ka kontakte dhe afërsi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kryeministri Kurti më 22 mars të këtij viti ka zhvilluar edhe një takim virtual me Mollën, me të cilin kanë biseduar për rolin që shqiptaro-amerikanët do ta kenë në qeverinë e re dhe për atë se si do të thellohen raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.