Ademi: Lojtarët tjerë do të luajnë edhe për Muriqin

Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një bisedë për KTV-në, ka thënë se mungesa e sulmuesit Vedat Muriqi në përballjen me Çekinë dhe atë me Anglinë është mungesë e madhe, por ka shtuar se pret që lojtarët tjerë të luajnë edhe për të.

Sot FFK njoftoi se Muriqi do të mungojë në dy ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2020” për shkak të lëndimit.

“Jemi të përgatitur shumë mirë, edhe nga ana psikike dhe fizike. Na mundon mungesa e Muriqit, por shpresoj që edhe trajneri dhe të tjerët e kanë planin tjetër e të mbulohet mungesa e tij edhe pse dihet roli i tij. Kjo ka nxitur që secili futbollist të zotohet se do të luajë edhe për të. Shkojmë për fitore e presim rezultat të mirë, duke pas parasysh se në ndeshjet jashtë vendit kemi luajtur shumë mirë, e do të kthehemi këtu për të vazhduar formën me Anglinë. Mjekët tanë po bëjnë të pamundur që nëse ekziston mundësia më e vogël të rikuperohet, sepse ka dëshirë tejet të madhe pavarësisht lëndimit që mund ta pësojë edhe më shumë. Taktika mund të ndryshojë edhe nëse s’është Muriqi do të kemi lojën tonë ofensive. Sigurisht do të luajmë në formë tjetër të sulmit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pret që çekët të kenë presion më të madh në ndeshjen e së enjtes dhe Kosova ta shfrytëzojë këtë.

Ademi ka kërkuar falje për problemet në blerjen e biletave, ndërsa ka shtuar se pret që kualifikimet për Botërorin ta gjejnë Kosovën në situatë tjetër.

loading…