Ademi insiston se Zeqiri do të luajë për Kosovën, por zviceranët e vlerësojnë punë të kryer mbetjen e tij

Kalimi i Andi Zeqirit te Brightoni ka mbetur në hije në fillim të kësaj jave. Më shumë bujë në Kosovë e Zvicër ka bërë e ardhmja e sulmuesit të talentuar, që të paktën deri më tani ka luajtur për U-21 të Zvicrës.

Të hënën mbrëma babai i lojtarit deklaroi se Zeqiri ka vendosur për Kosovën dhe se pritet kompletimi i dokumentacionit që ai të bashkohet me “dardanët”. Por të martën ka pasur zhvillime të shumta për këtë temë. Pasi mediat zvicerane përcollën deklaratën e babait të Andi Zeqirit, reagoi agjenti i lojtarit. Ai e bëri punë të kryer mbetjen e Zeqirit te Zvicra. Vetë futbollisti deri më tani nuk është deklaruar.

Ndërkohë mbetjen e Zeqirit te Zvicra e deklaroi edhe drejtori i përfaqësueseve zvicerane. Për t’i dhënë dramaticitet zhvillimeve u kujdes i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai edhe në mbrëmjen e së martës ka ngulur këmbë se Zeqiri do të jetë i Kosovës.

Zeqiri ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe vlerësohet sulmues me potencial. Është rritur te Lausanne në Zvicër, ndërsa kishte një periudhë edhe te të rinjtë e Juventusit.

Lausanne tani luan në Superligën e Zvicrës, por edicionin e kaluar luajti në kategorinë e dytë. Zeqiri shënoi 17 gola në 33 ndeshje. Formë të lartë ka shfaqur edhe te të rinjtë e Zvicrës, sidomos në ndeshjet e fundit.

“Andi është i Kosovës dhe ka përfundu çdo gjë. Ai pritet shumë shpejt të fitojë të drejtën e lojës dhe të bashkohet me Kombëtaren e Kosovës”, ka insistuar Agim Ademi të martën mbrëma. Ka kohë që Ademi, që jo gjithnjë i ka deklaratat e matura lidhur me afrimin e lojtarëve, është shprehur i bindur se Zeqiri do të luajë për Kosovën.

Ndryshe shprehen në kompaninë që menaxhon Zeqirin.

“Kompania ‘Gold Kick’ dëshiron të njoftojë se futbollisti me shtetësi të Zvicrës dhe Kosovës, Andi Zeqiri, sot i ka dërguar letër Federatës së Futbollit të Zvicrës përmes të cilës ka konfirmuar se edhe më tutje dëshiron të luajë për Përfaqësuesen e Zvicrës”, ka shkruar agjenti i Zeqirit në “Facebook”.

Të njëjtën informatë e kanë edhe në Federatën e Futbollit të Zvicrës, se Zeqiri do të luajë edhe më tutje për helvetikët.

“Ne jemi rregullisht në kontakt me Andi Zeqirin. Ai sot na ka kumtuar se edhe më tutje dëshiron të luajë për Zvicrën. Ai e ka bërë këtë deri më tash me shumë kënaqësi dhe vullnet. Ne në këtë kohë, kur ka pasur deklarime të tjera për të ardhmen e tij, do ta mbështesim dhe shoqërojmë, siç kemi bërë deri më tani”, ka thënë Pierluigi Tami, drejtor i përfaqësueseve të Zvicrës.

Nuk është hera e parë që lojtarë të caktuar, apo njerëz afër tyre, shfrytëzojnë interesimin e më shumë se një përfaqësueseje për të përmirësuar pozitën e këtij lojtari. Në disa raste kjo strategji ka ndezur. Por jo gjithnjë.