Ambasadori i SHBA-së

Acarimi i raporteve SHBA-Kosovë, Hovenier flet pas “raportimeve” për sanksione ndaj zyrtarëve të Qeverisë Kurti

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, në bashkëbisedim me gazetarët, është pyetur rreth deklaratave të ashpëra të Washingtonit zyrtar sa i përket partneritetit me Kosovën dhe për spekulimet për shpalljen “non-grata” të emrave të ndryshëm në Qeverinë Kurti.

Sa i përket partneritetit SHBA-Kosovë, Hovenier ka thënë se nuk beson që kjo çështje ka vetëm dy përgjigje, po apo jo. Hovenier ka thënë se mund të ketë partneritet të mirë dhe të fortë, partneritet më pak të fortë dhe partneritet të pamjaftueshëm.

Ai tutje ka thënë se SHBA-ja s’mund ta thoshte më qartë se sa që e ka thënë, se nuk është e kënaqur me cilësinë e partneritetit me Qeverinë Kurti aktualisht dhe se Qeveria Kurti s’ka qenë mjaftueshëm e vëmendshme ndaj shqetësimeve amerikane që janë ngritur për zbatimin ose zbatimin e mëvonshëm të rregullores së BQK-së për dinarin.

“Mund të jem i sinqertë, nuk mendoj se qeveria ime mund të sinjalizojë më qartë se mënyrat që kemi sinjalizuar deri më tani se jemi të pakënaqur me cilësinë e partneritetit tonë me Qeverinë Kurti në këtë kohë, se nuk besojmë se Qeveria aktuale ka qenë mjaft e vëmendshme ndaj shqetësimeve që ne kemi ngritur vazhdimisht në lidhje me planet dhe zbatimin ose zbatimin e mëvonshëm të rregullores së Bankës Qendrore”, ka thënë Hovenier.

Tutje diplomati amerikan ka thënë se mënyra se si është marrë vendimi për Rregulloren e re të BQK-së dhe efekti që ka pasur ajo rregullore tek serbët lokalë, ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën.

Ambasadori Hovenier sa i përket spekulimeve për çështjen e shpalljes “non-grata’, ka thënë se SHBA-ja nuk parashikon ose flet për vendimet për vendosje të sanksioneve derisa diçka e tillë të bëhet publike.

Ai ka thënë se nëse do të ndodh një gjë e tillë, nuk do të jepet lajmi përmes llogarive në twitter, por do të jetë një deklaratë e qartë nga Qeveria e SHBA-së.

Hovenier ka sqaruar se nuk shpallje të personave “non-grata” dhe se nuk beson që do të sanksionohet dikush.

“Kjo nuk ka ndodhur. Dhe nuk besoj se do të ndodhë”, ka thënë Hovenier.

VIDEO BONUS: “Nuk e kanë zorin gratë me u bo nëna pa pas burra, Kosova shyqyr Zotit ka plot mashkuj”