“Abstenoj”, “S’mjafton”, Shala e sfidoi Konjufcën për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Në Kuvendin e Kosovës u miratua në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Nënkryetari i Kuvendit nga LDK-ja, Kujtim Shala, paraprakisht e pyeti kryeparlamentarin Glauk Konjufca për qëndrimin e tij rreth këtij projektligji.

“Z. kryetar, më intereson çfarë qëndrimi keni ju për këtë çështje, meqë ju patët marrë përsipër që këtë projektligj t’ia dërgoni Komisionit të Venecias”, tha Shala.

Konjufca tha se i ka pritur dhe lexuar me vëmendje opinionet e Komisionit të Venecias dhe se do të abstenojë deri në përfshirjen e tyre në projektligj.

“Kam abstenuar dhe kështu do të bëj edhe sot, sepse më duket shumë korrekte që meqenëse vetë e kam dërguar, të pres deri në përfshirjen e këtyre opinioneve në lexim të dytë nga komisioni funksional”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Ai tha se ka besim në komisionet e Kuvendit.

“Mendoj që e ka aftësinë që t’i përfshijë këto opinione”, tha Konjufca.

Kjo përgjigje nuk i mjaftoi Shalës, i cili tha se kryeparlamentari ka mendim të njëjtë me Qeverinë.

“Nuk është e mjaftueshme.. Ju e keni mendimin e njëjtë që e ka Qeveria”, tha Shala.