Abrashi me argument qesharak për të shuar kritikat ndaj shefit: Po ju citojnë mediat në Serbi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka dhënë një argument të çuditshëm për të shuar kritikat ndaj shefit të tij, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook shkroi se ata që po e kritikojnë Kurtin, në mesin e tyre politikanë aktiv “pa asnjë arritje”, politikanë të pensionuar dhe ish-këshilltarë, po citohen në Serbi.

Abrashi tutje tha se kritikuesit po përdoren si instrument për qëllimet e Serbisë.

“Kur kundërshtinë ndaj Albin Kurtit e ke qëllim e jo instrument, përfundon duke u bërë vetë dhe vetëm instrument i qëllimeve kundër interesit kombëtar“- shkroi ndër tjerash Abrashi.

Më poshtë postimi i plotë i Abrashit:

“Çdokush që në Kosovë flet kundër Albin Kurtit, menjëherë citohet nga mediet në Serbi. Kurrë kështu e kaq shumë mediet në serbi nuk janë shërbyer nga komentatorë e analistë të Kosovës për të përshkruar njëanshëm çdo zhvillim në vend. Në mesin e personave që citohen për të sulmuar Albin Kurtin gjeni politikan aktivë pa asnjë arritje, politikan të pensionuar, ish-këshilltarë e funksionarë të ndryshëm të PLAN-it. Kritikat e tyre përplot inate pastaj përdoren si kanar i kritikave të politikanëve serbë ndaj Albin Kurtit. Pastaj dalin e thonë, shihni se çka thonë vet shqiptarët për të andaj edhe ne duhet ta ashpërsojmë gjuhën kundër tij. Me të njëjtën gjuhë i flasin edhe qytetarëve serb të Kosovës të cilët vazhdimisht i kërcënojnë dhe i mbajnë të izoluar. Kur kundërshtinë ndaj Albin Kurtit e ke qëllim e jo instrument, përfundon duke u bërë vetë dhe vetëm instrument i qëllimeve kundër interesit kombëtar. Instrument për qëllimet e Serbisë kundër Qeverisë së parë të Kosovës që nuk varet nga votat e Beogradit, që nuk lejon mbajtjet e referendumit serb dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe që vendos reciprocitet”, ka thënë ai.