Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi kërkoi hetim penal për përgjegjësit në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën nga kunari i saj në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, ndërsa deri në fund paralajmëronte shtetin për këtë fund tragjik dhe kërkonte mbrojtje institucionale.

Abrashi tha në Kuvend se Lëvzija Vetëvendosje e mbështet protestën. Dje, në protestën para institucioneve, u kërkua shkarkimi apo dorëheqja e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

“E mbështesim protestën. Revolta qytetare e atyre që protestojnë aktivisht dhe në heshtje është e drejtë, e domosdoshme dhe udhërrëfyese”, tha Abrashi.

Ai u kërkoi kolegëve deputetë që “të mos dorëzohen”.

“Të mos heshtim të dashur kolegë, të mos dorëzohemi, të luftojmë derisa të ndryshojë kjo gjendje. E kemi secili për detyrë”, tha Abrashi.

Protestuesit kanë dhënë “ultimatum” 24-orësh që ministrat Gërvalla dhe Sveçla të shkarkohen apo dorëhiqen, ndërsa kjo mbetet ndër kërkesat kryesore e protestës, që është paralajmëruar se do të vazhdojë edhe sot dhe çdo ditë tjetër deri në plotësimin e kërkesave.