Abrashi i AAK’së për Ligjin e Rimëkëmbjes: Deputetët po bëjnë politikë për interesa partiake

Deputeti i AAK’së, Gazmend Abrashi, po thotë se anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere po bëjnë politikë me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Abrashi ka shkruar në Facebook se po anashkalohen interesat e bizneseve dhe qytetarëve.

Ai thotë se deputetët të cilët janë anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Tranfere po bëjnë politikë për interesa të partive të tyre.

“Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike deputetët, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Transfere po bëjnë politikë për interesa të partive të tyre politike. Po anashkalojnë interesin e bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Si kurrë më parë kërkohet unitet!”, ka shkruar Abrashi.

Ndërkohë, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka dështuar votimi i Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2021 dhe as Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

E shkaku i mosvotimit vjen pas mungesës së kuorumit

Ky projektligj pas thuajse 7 tentimeve ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, problem për votimin e tij është hasur në komisione.

Tani kur pritet të plotësohet me amendamentet e parashtruara nga partitë e tjera ky projektligj po ballafaqohet me mungesë të kuorumit në komisione.

Kësisoj i njëjti po dështon të votohet.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike është një ndër projektligjet jetike për qytetarët në kohë pandemie.

Pozita është ballafaquar me mungesë të numrave për ta votuar atë.