Abid Jashari kërkonte nga UNMIK-u t’i japë dëmshpërblim, ishte plagosur me 6 plumba

I plagosuri gjatë trazirave të marsit 2004, Abid Jashari, ende mban 6 plumba në trupin e tij. Ai kishte kërkuar nga UNMIK-u dëmshpërblim për dëmin e bërë, por se kjo e fundit në përgjigjen e saj i ka thënë se ankesa është bërë vonë andaj nuk do të ketë dëmshpërblim.

28 vjeçari Abid Jashari ende mban gjashtë plumba në trup, të cilat i kishte marrë gjatë 18 marsit të vitit 2004.

Ai ishte gjendur rastësisht në rrugë, teksa po ndodhnin trazirat. Njëherë ai kishte menduar se plumbat e marra ishin të shkrepura nga KFOR ku dhe ishte ankuar.

Jashari ka thënë për KTV se ai kërkon një dëmshpërblim dhe asgjë më shumë.

“Unë nuk mund ta di se çfarë ka ndodhur, as nuk dua ta dijë, mua më intereson të dijë, pse të dilet aty dhe të më plagosin mua. Unë nuk kam pasur të bëjë asgjë me protesta”.

Pas analizave të bëra nga KFOR ka dalë se plumbat 9 mm të pushkës së gjuetisë janë të policisë së UNMIK-ut.

“Pas një hetimi të bërë nga zyra për ankesa e KFOR-it, kemi ardhur në përfundim se KFOR nuk është përgjegjës për plagosjen dhe lëndimin tuaja. KFOR nuk ka përdorur llojin e plumbave çfarë ju keni ende në trup, e as që ka operuar fare në rajonin ku ju jeni plagosur atë ditë. Zyra për ankesat e KFOR-it, nuk mund të mbështes ankesën tuaj”.

Abid Jashari rrezikohet shumë nga gjashtë plumbat që mban ende në trup. Më e rrezikshmja është plumbi që është vetëm 1 milimetër larg trurit.

“I kam gjashtë plumba në trup. Kjo në kokë, këtë e kam pengesë shumë të madhe. E kam një plumb në krahë, në këmb dhe një në prapanicë”.

“Kam qëndruar 10 ditë në spital, dhe mbas dhjetë dite më kanë thënë se mundemi të të shtijmë në operacion, por 97 % mundesh me mbet në operacion. Unë nuk guxoj sepse e di që jam i vdekur, edhe ashtu kështu jam i vdekur, por problemi është që po kam pengesa shumë”, ka thënë Abid Jashari për KTV.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Brendern Varna ka thënë për KTV se Abid Jashari është ankuar tek ky institucion.

“Ne jemi në dijeni për këtë çështje dhe që është prej vitit 2004. Për herë të parë ky person ka kontaktuar me ne edhe në nëntor të vitit 2013. Ne i jemi përgjigjur, por ai prap ka bërë një ankesë dhe shumë shpejt do t’i kthehet përgjigja. Ne nuk mund të japim detaje rreth përgjigjes së kthyer, por është e drejtë e tij nëse dëshiron ta bëjë publike atë”.

Jashari ka thënë se ka kërkuar nga UNMIK një dëmshpërblim, por përgjigja në ankesën e tij drejtuar UNMIK-ut, ka qenë se ankesa është bërë shumë vonë andaj nuk do të ketë dëmshpërblim për të.