Abelard Tahiri: Shkoi qeveria, por shpëtoi shteti dhe e ardhmja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në këto momente aspak të lehta për shkak të pandemisë, shqetësimet janë mese të natyrshme e kujdesi mese i nevojshëm.

“Megjithëse në karantinë, jemi bashkë të gjithë e bashkërisht do dalim nga kjo. Por, krahas kësaj sfide, kemi përgjegjësi edhe ndaj të ardhmes. Prandaj, dje u rrëzua qeveria e izolimit e sanksioneve. Ish kryeministri Kurti e nisi çorientimin e brendshëm përmes përçarjes dhe çorientimin e jashtëm përmes izolimit. E mori si asgjë paralajmërimin e SHBA-së për sanksione”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Si një mashtrues tipik, mendoi se mund të mashtrojë edhe përkundër paralajmërimeve. Kur u ndalën fondet e MCC-së, nuk i mori seriozisht. Kur u paralajmërua tërheqja e trupave, nuk e mori seriozisht. Kur u tërhoq investimi më i madh në Kosovën e pasluftës, jo vetëm që nuk e mori seriozisht, por edhe iu gëzua”,

Tahiri ka theksuar se propaganda demagogjike e Albin Kurtit fatkeqësisht doli në shesh kur po bëhej vonë.

“Kur sanksionet veçse kishin mbërritur. Nga tre vendet më të veçuara në botë për mbështetje nga SHBA-ja, në një vend ndaj të cilit SHBA-ja ndërmerr masa. Nga shteti më pro-amerikan e me orientim të qartë, në një qeveri pa orientim ose orientim kundër SHBA-së”.

“Sot, Albin Kurti nuk mund të bëjë më dëme, por me dëmet që i bëri Kosovës për kaq pak kohë, ia ka vonuar perspektivën dhe çorientuar drejtimin. Prandaj, dje iu dha fund qeverisë së çorientimit. Shkoi qeveria, por shpëtoi shteti dhe e ardhmja, në krah me zhvillimin, integrimin dhe SHBA-në”, ka shkruar zyrtari i lartë i PDK-së.