Abelard Tahiri e quan “mjeshtër të huqjeve” Avdullah Hotin

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: “u pajtuam që të merremi vesh”.

“Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë:

Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve. Është për keqardhje që në mënyrë kaq irracionale e me deklarata pompoze, Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: “u pajtuam që të merremi vesh”.

Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve. Thanë edhe shumë gjera të tjera, përderisa me vepra po dëshmojnë se ky standard i ri i transparencës, është asgjë më shumë, sesa mungesa e plotë e saj.

Në fakt, kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një model i plogësht, pa ide e pa zgjidhje, kreativiteti i të cilit nuk shkon më larg sesa kamuflimi i lodhtë i Avdullah Hotit rreth transparencës që na pret.