Abelard Tahiri e quan fatkeqësi emërimin e Vjosa Osmanit kryeparlamentare

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është fatkeqësi që Kuvendi i Kosovës udhëhiqet nga Vjosa Osmani.

Sipas tij, ajo është një figurë që bën vetëm përçarje. Këtë e ka ndërlidhur me zhvendosjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në zyrën e Osmanit, një ditë pasi mori detyrën e re.

“S’e kemi bojkotuar Kuvendin, por kryesinë. E konsiderojmë si veprim antiligjor. S’ka ndodh asnjëherë në asnjë rrethanë. Është protokolli i shtetit që tregon ku vendoset fotografia e presidentit. Është fatkeqësi që Kuvendi ka kryetare përçarëse. Ajo po reflekton edhe në Kuvend. Po e dëmton relacionin me opozitën. Është keq për të dhe demokracinë. Duke qenë një lloj moderatori apo kryetari i Kuvendit duhet të luajë rol përtej të qenit në pushtet. Dje dëgjova një të pavërtetë të madhe që tha se nga sot e tutje po nisim epokë të re sepse s’do të ketë më agjenda të njëanshme që ka bërë Veseli. Kjo është gënjeshtër e madhe. Asnjëherë në Kryesi s’ka pas vendime të njëanshme edhe pse rregullorja ia lejon në raste të caktuara”, ka thënë Tahiri në ktv.