Abdullahu pas vendimit për rrymën: Pa PDK-në, e ha dreqi këtë vend

Sot gjatë ditës, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit për Çështje Administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Rreth kësaj ka reaguar, Faton Abdullahu, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se PDK është ajo që u ankua në Gjykatë dhe se nga vendimi i Apelit ka fituar drejtësia, shkruan lajmi.net.

“KËTA” e patën ndërmend me ju hy secilit në shtëpi dhe me ju marr pare në emër të shtrenjtimit të rymës dhe me ju rrejt se kjo është e drejtë dhe e domosdoshme sepse ….blla blla blla. Por me ju oshtë PDK. Ajo për ju u ankua në Gjykatë. Dhe me PDK ju nuk jeni vetëm, por fituat në Gjykatë. Fitoj e drejta, drejtësia. Ju kam thonë “Pa PDK-n e han dreqi kët vend””, ka thënë Abdullahu.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/ propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.