Abdixhiku uron kryetarin e ri të CDU-së: Gjermani e CDU kanë qenë përkrahës të mëdhenj të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të partisë CDU në Gjermani, Friedrich Merz.

Abdixhiku në urimin e tij i tha Merz se si parti simotër e CDU-së, LDK është e bindur se do të vazhdojë bashkëpunimin e saj që ka ndërtuar ndër vite me ta ,edhe në të ardhmen.

“Gjermania dhe CDU kanë qenë gjithmonë përkrahës të mëdhenj të Kosovës dhe popullit të saj, dhe ne e vlerësojmë vërtetë këtë”, thuhet në telegram urimin e Abdixhikut, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Abdixhiku i tha Merz se mbështetja që mori ky i fundit nga delegatët e CDU-së është shenjë e fortë e vlerësimit që populli gjerman ka për personalitetin e tij.

“Mbështetja e jashtëzakonshme që morët nga anëtarësia e CDU-së dhe delegatët e saj është një shenjë e fortë e vlerësimit që populli gjerman ka për personalitetin tuaj dhe besimin e tij të fortë se si lider i CDU-së ju do ta çoni më tej partinë dhe vendin”, ka shkruar Abdixhiku.