Abdixhiku: U Zhbë Ekipi me nipër, dajë e akraba

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin e shfuqizin Ekipin Negociator të Kosovës në bisedime me Serbinë.

“Gjashtë muaj më parë, Ekipi Negociator i ishte kushtëzuar me votimin e buxhetit. Votimi i buxhetit i siguronte jetë Qeverisë PAN. Mosvotimi i tij nënkuptonte fund të skenës më të rëndë politike në vend. Buxheti ishte votuar. Në këmbim ishte ndërtuar një ekip me dhjetë burra e ca, që thonin se përfaqësonin Kosovën. Të dhjetë burrat bashkë s’përfaqësonin as 5-6% qytetarë. Kjo për ta kishte pak rëndësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, gjashtë muaj më pas – me inicitativë të përbashkët LDK dhe VV – siç dhe pritej nga secili me minimalisht dije për shtet, Ekipi Negociator u shpall kundërkushtetues.

“Dialogu s’mund të kontraktohet. Dialogu s’mund të delegohet. Dialogu s’mund të udhëhiqet nga askush tjetër veçse nga Qeveria. Shteti s’është punë axhamizmi politik. Punët e shtetit megjithatë kanë një rend”, thekson ai.

Ekipi u zhbë, shkruan tutje deputeti i LDK-së.

“Me të dhe ekipet me nipër, dajë e akraba. Jokushtetues të gjithë. Por Kosovës i mbetet ende Qeveria PAN. Kjo njollë kapjeje do të harrojej tashmë po të mos votohej buxheti gjashtë muaj më parë. Sot Kosova do të kishte një Qeveri të re që s’fshihet rrugicave të Evropës në takim me Serbinë, por që e ballafaqon atë mençur e botërisht”, ka shkruar në fund Abdixhiku. /Ballkani.info/