Lumir Abdixhiku

Abdixhiku tregon ku do të investohen mjetet financiare të buxhetit për 2019

Kryetari i Komisionit për Buxhet e Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka treguar për ndryshimet financiare që janë bërë e që do të përfshihen në Buxhetin e vitit 2019.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se kanë mbuluar të gjithë shpenzimet vjetore të 11 qendrave strehimore në Kosovë që strehojnë mbi 400 gra e fëmijë në nevojë.

Ky është postimi i plotë:

Çfarë bëmë sot në Komision për Buxhet:

– Mbuluam gjithë shpenzimet vjetore të 11 qendrave strehimore në Kosovë që strehojnë mbi 400 gra e fëmijë në nevojë. Vitin e kaluar këto qendra ishin mbyllur në mungesë të mjeteve financiare; ky problem s’është më.

– Shtuam numrin e inspektorëve të punës për 50%; me shpresë shumë se të njëjtit do të përkujdesen minimalisht për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.

– Dyfishuam buxhetin për jetimoret në Kosovë, me mundësi rritjeje sa herë që ato kanë nevojë.

– Siguruam 750 mijë euro Investime për repartin e Onkologjisë me qëllim të përkujdesjes më të mirë ndaj pacientëve me sëmundje të kancerit.

– Shtuam numrin e policëve për 300 sosh; numrin e mjekëve për 50, të psikologëve nëpër shkolla për 50; të zjarrfikësve për 30.

– Gjetëm mjete për financimin e 8 shkollave të reja nëpër Kosovë; 12 sallave sportive; e 5 çerdheve për fëmijë.

– Siguruam financim për ndërtimin e mbi 50 banesave për familjet në nevojë në disa vendbanime nëpër Kosovë.

– Siguruam financim prej 20 milion eurove për investime kapitale nëpër të gjitha komunat e Kosovës; investime për qasje në ujë; sheshe e rrugë për shumë qytetarë në Kosovë.

I falenderoj deputetët propozues; e mbi të gjitha të gjithë anëtarët e Komisionit që udhëheq që ideuan e votuan ndryshimet pa as edhe një hezitim. Një ditë si kjo, ja vlenë.