Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka thënë përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Kaja Kallas, se propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale është “ideja e vetmje funksionale sot”.

Abdixhiku ka njoftuar në Facebook se gjatë ditës ka takuar Kallasin dhe ia ka shprehur qëndrimet e LDK-së për heqjen e masave, për dialogun dhe të ardhmen.

“I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret. E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot. Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

Gjatë ditës, në një konferencë për media, Kallas njoftoi se BE-ja ka nisur t’i heqë gradualisht masat ndërsa bëri thirrje për formim më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.