Abdixhiku takohet me bashkudhëheqësin e grupit për çështjet shqiptare në Kongresin Amerikan

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, u prit sot në Kongresin Amerikan. Ai përmes një njoftimi ka treguar se sot u takua me Kongresmenin Republikan Robert Aderholt, bashkudhëheqës i grupit për çështjet shqiptare në Kongresin Amerikan.

Me këtë rast Abdixhiku theksoi: “Kongresmeni Aderholt është një mik i madh i Kosovës. Në rolin e bashkudhëheqësit të grupit për çështjet shqiptare, ai ka shtyrë në vazhdimësi pozicionin e Kosovës në Kongresin Amerikan dhe politikën e jashtme amerikane. Për këtë e falënderova përzemërsisht. Të njëjtin e ftova për vizitë në Kosovë. Populli i Kosovës mbetet falënderues për kontributin e Kongresistëve në momente të ndryshme historike. Për këtë mbështetje kemi nevojë edhe sot”.

Sot është dita e dyte e vizitës së Kryetarit të LDK-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dje ai njoftoi se kishte takime zyrtare në Departamentin e Shtetit të SHBA-së ndërsa sot është pritur në Senat dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.