Abdixhiku reagoi për krizën me rrymën, Bajqinovci e quan “imitator të dobët të Kurtit”

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar sërish rreth krizës energjetike në vend, duke thënë se arsyeja pse Kosova s’ka rrymë është sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë.

“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet”, ka shkruar Abdixhiku këtë të shtune.

Kësaj deklarate i është përgjigjur deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, i cili e quajti Abdixhikun “imitatori i dobët” i Albin Kurtit.

Bajqinovci pati edhe një propozim për Abdixhikun se me cilën temë duhet të merret.

“Lumir Abdixhiku, ky imitator i dobët i Albin Kurtit, në vend të ofrimit të zgjidhjeve të krizave globale, t’i japë zgjidhje fillimisht problemit me qentë endacakë dhe kundërmimin e rrugëve dhe lagjeve nga mbeturinat në komunën që LDK-ja e tij e qeveris”, ka shkruar Bajqinovci.

Abdixhiku sot ka ftuar edhe Prokurorinë që të nisë hetimet për, siç tha ai, vonesat, derisa i ka bërë thirrje Qeverisë që të shkarkojë Bordet e KEK’ut dhe ZRRE’së, që sipas tij janë “borde partiake”.