Abdixhiku: Qeveria me mosveprim po e rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të ciklit debatues e diskutues me qytetarë “LDK ju dëgjon”, ka qëndruar sot në Obiliq.

Nga afër ka dëgjuar sfidat dhe problemet e rënda sociale e ekonomike në këtë kohë krize që qytetarët po përballën çdo ditë.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur që në kohë krize të qëndroj spektatore, ajo në vend që të marr hapa konkret në lehtësimin e krizës ekonomike, po e rëndon atë, duke mos vepruar e duke u sillur që gjithçka është në suaza normale. Inflacioni sot ka arritur në shifra rekorde ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, ngritja e çmimeve të produkteve bazike është dyfishuar, andaj dhe lufta për ekzistencë është beteja me të cilën po përballën shumë qytetarë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai gjithashtu ka folur edhe për krizën energjetike, për të cilën tha se e ka rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë.

“Kriza energjetike ka rënduar jetën e qytetarëve; para nesh kemi një dimër të vështirë, do të përballemi me mungesë të energjisë elektrike. Një Qeveri e përgjegjshme që ka kaluar një dimër në krizë deri tash do të duhej të bënte të gjitha përgatitjet për të kaluar këtë dimër më lehtë. Kjo papërgatitje e thellon edhe më tutje krizën e cila do të sjellë pasoja për qytetarët tanë dhe për industrinë në vendin tonë”, tha Abdixhiku.