Abdixhiku: Qeveria ka dështuar, duhet koordinim me Administratën Biden

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një diskutim në Lipjan, ka thënë se është shqetësuar “për përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët”.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë. Sipas tij, Kosova duhet t’i ketë të dyja, edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtarë.

Ai ka shtuar se një Qeveri që sjellë vendin përballë një zgjedhje të tillë ka dështuar që në fillim.

“Qeveria e Kosovës ka dështuar që në fillim. Edhe është tërhequr nga vendimi i parë; edhe ka propozuar shtyrjen pa koordinim dhe së këndejmi pa mbështetje të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Përmes një komunikate për media, ai ka thënë se krahas zhvillimeve të mëdha rajonale dhe kontinentale, Kosova ka nevojë për mbështetjen nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian.

“Në kohë të zhvillimeve të mëdha rajonale e kontinentale, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. Do të duhej të ishim në momentet më të mira politike pas një kohe të gjatë. Kosova ka nevojë për ndihmë të aleatëve në proceset integruese euroatlantike; përkatësisht në liberalizim të vizave e në anëtarësim në NATO. Ajo që më së paku që i duhet Kosovës sot, është zhgënjimi e dëshpërimi i qendrave më mike të vendit tonë me institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Abdixhiku, duke ju referuar aleatëve të Kosovës, tha: “Sot ne duhej të ecnim hap me hap me ta. T’i hapnim dyert Kosovës, të siguronim njohje, anëtarësime, e investime. Deklaratat e zhgënjimit e dëshpërimit ndaj Kosovës, dëshmojnë të kundërtën dhe si të tilla, domosdo janë me pasoja të mëdha për vendin dhe shoqërinë tonë. Dhe sot duhet të pyesim veten të gjithë, çfarë interesi kombëtar qenka një distancim i tillë?”.

Ai tutje ka deklaruar se udhëheqja shtetërore, në veçanti në relacion me aleatë, nuk është platformë popullizmi për turma, duke shtuar se është, para së gjithash, përgjegjësi e shtetarëve të mëdhenj.

“Por Kurti nuk është i tillë. Ai nuk i njeh as interesat e Kosovës, as domosdoshmërinë e aleancave tona. Si LDK, përveç se shprehim shqetësimin e thellë mbi relacionet e fundit të krijuara, ritheksojmë nevojën e koordinimit të plotë me aleatët tanë. Kërkesat e tyre të sinqerta, të Administratës Biden në SHBA e të aleatëve tjerë evropianë, duhen te merren me mençuri e jo me arrogancë”, ka thënë ai.