Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një statusi në Facebook, ka kritikuar qeverisjen e mazhorancës aktuale.

Ai ka shprehur kritika të ashpra rreth Qeverisë siç e quan ai, “Qeveria e punëve të mëdha”, pasi sipas tij, me aprovimin e buxhetit për vitin 2019 të Qeverisë së Kosovës, konfirmohet se gjatë vitit 2018 janë humbur rreth 16.000 vende pune.

Kjo sipas tij, tregon mos gatishmërinë e Qeverisë aktuale për të shtuar kapacitetet e shtetit tonë, si ato ekonomike e financiare.

Sipas kalkulimeve të deputetit Abdixhiku, gjatë ditëve të Qeverisjes PAN, çdo ditë kanë humbur punën 44 qytetarë të Kosovës, transmeton Ballkani.info.

Statusi i plotë:

NJË VIT QEVERI PAN
16,000 VENDE PUNE MË PAK

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Buxhetit 2019 e konfirmon se gjatë vitit të shkuar janë humbur hiq më pak se 16,000 vende pune. Jo që s’janë shtuar vende shtesë, por janë humbur edhe ato ekzistueset. Të dhënat e tyre, numrat e tyre, buxheti i tyre. Ky është një rekord i ri – gjithsesi i zi për shtetin tonë.

Pra, për secilën ditë të Qeverisë PAN, nga 44 kosovarë mbesin pa punë. Secila ditë punë e kësaj Qeverie është ditë papunësie për 44 kosovarë të rinj. Ditë e rëndë për 44 familje kosovare.

Jo që pritej ndryshe. Një qeveri e zënë me kapje institucionale e me rehatime partiake s’mund të prodhoj zhvillim për qytetarët e vet. Një qeveri që mendon vetëm për zëvendësministrat e vet, gati 100 sosh; që falë borxhe, paguan dënime e rahaton militantë në ndërmarrje publike s’mund të krijojë punë për askënd. S’dinë, s’duan, s’munden. /Ballkani.info/