Abdixhiku për vdekjen e gazetarit Hysni Syla: La pas vetes bagazh të pasur profesional e atdhetar

Sot është varrosur gazetari veteran nga Mitrovica, Hysni Syla, i cili vdiq mbrëmjen e së martës, pasi u godit nga një veturë.

Në varrimin e tij, Xhafer Tahiri lexoi letër ngushëllimi në emër të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku, në të cilën thuhet se lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të doajenit të gazetarisë kosovare, Hysni Syla, ishte tronditës.

“Ai ishte veprimtar i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe zëdhënësi i parë i Komunës së Mitrovicës. Me vetitë dhe personalitetin e tij prej një intelektuali dhe veprimtari të çështjes kombëtare, ai la pas vetes një bagazh të pasur profesional e atdhetar”, thuhet në telegram ngushëllimin e Abdixhikut, njofton Klankosova.tv.

I pari i LDK-së, në emër të tij dhe partisë, i ka shprehur ngushëllime familjes Syla, miqve dhe degës së LDK-së në Mitrovicë.

Hysni Syla ka qenë zëdhënësi i parë i Komunës së Mitrovicës, ndërsa në vitin 2021 ai ka mbajtur postin e drejtorit të Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Ai ka punuar edhe si gazetar si dhe ka drejtuar Shoqatën e Gazetarëve në Mitrovicë. 71-vjeçari ka qenë autor i disa monografive.