Abdixhiku: Për herën e tretë konfirmohet fitorja jonë në Dragash

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar kryetarin e ri të Dragashit, Bexhet Xheladini, pasi doli fitues me votat e diasporës.

Abdxihiku thotë se tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së.

“Sot, për herë të tretë, u konfirmua fitorja jonë në komunën e Dragashit. Votimi i 17 tetorit, i 14 nëntorit dhe rivotimi i mërgatës i finalizuar sonte me 14 dhjetor, rikonfirmuan tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin tonë, Dr. Bexhet Xheladini. Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kreu i LDK-së thotë se Xheladini iu bashkohët shtatë kryetarëve të tjerë të LDK-së në misionin e shërbimit e drejtë për të gjithë qytetarët.

“LDK, përfundoj ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me 8 komuna të fituara. Dr. Xheladini i bashkohet të shtatë kryetarëve tanë të tjerë në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim. Dragash urime! Doktor, ju priftë e mbara”.

Diaspora ka vendosur përfundimisht për kryetarin e ri të Dragashit për katër vitet e ardhshme. Sipas rezultatit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini do të marrë udhëheqjen e kësaj komune.

160 vota janë regjistruar nga diaspora për Bexhet Xheladinin e LDK-së, ndërsa 117 për Shaban Shabanin e PDK-së.