Obligimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i pandryshueshëm dhe për këtë duhet një model “made in Kosova”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, duhet krijuar një ekip ekspertësh juridiko-kushtetues, jopolitikë, por me vullnet politik. Abdixhiku ka thënë se ky grup duhet të krijojë një trup dhe që më pas të ketë pranueshmëri ndërkombëtare e të hiqet obligimi nga tavolina.

“Mund të provohem gabim, por aq sa ka histori të rendit botëror është se obligimi ndërkombëtar mbetet i tillë. S’po shoh interes të forcave kryesore që të ndryshojë as për së afërmi koncepti i obligimit ndërkombëtar. Meqenëse është i pandryshueshëm, është i obligueshëm për ne, dhe s’ka amnistim për këtë faturë. Rruga jonë e vetme është se si do të dukej ky obligim në terma praktikë. Kjo është brenga ime më e madhe që e flas me ndërkombëtarët. Nuk kam dëgjuar debat shoqëror se si do të dukej një trup pa kompetenca ekzekutive, brenda Kushtetutës e që nuk cenon rendin dy nivelesh të organizimit shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai në “Konfront”.

Abdixhiku ka thënë se nëse Kosova merr zotimet ndërkombëtare për integrim evropian, për njohje nga shtetet mosnjohëse dhe pranime të tjera ndërkombëtare, duhet të ketë vullnet politik për të mbledhur ekspertët.

“Por tani nuk ka vullnet sepse kemi një parti në pushtet që ka bërë gjithë kauzën kundër këtij trupi. Në pushtet ka bërë pranim, në një dokument që është bërë kriter. Mund të mos e implementojë, por që është obligim edhe nga kjo qeveri është pranuar. Jam i interesuar për debat publik”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se propozimi i ekipit menaxhues për Asociacionin është “federalizim i Kosovës”. Sipas tij, edhe 15 propozimet tjera për asociacionin përbëjnë “autonomi”.

“Na duhet një model ‘made in Kosova’ nga patriotët e këtij vendi, që e duan Kushtetutën dhe ekspertët e fushës në këtë drejtim dhe duhet zotim të aleatëve tanë e duhen delegacione të mira sepse nuk i thuhet ‘tigër prej letre’”, ka thënë ai.

Si zgjidhje për të eliminuar telashet me ekipin menaxhues për draftimin e Asociacionit, Abdixhiku ka thënë se duhet qartësuar se çfarëdo që çon ky ekip do të rrëzohet nga Kushtetuesja.

“Neve na duhet pranueshmëria ndërkombëtare, jo nga Serbia, sepse jam i bindur se ajo nuk e do. Dialogu i vetëm është me partnerët ndërkombëtarë që kanë vendosur këtë kusht për hapje ne rrugëve integruese”, ka shtuar ai duke thënë se nëse mbyllen pengesat me ndërkombëtarët, Kosovës do t’i hapet rruga për integrim evropian.