“Le të bëhemi bashkë! Më 9 shkurt, le të ringritemi si një!”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Këto komente, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Presidentja Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e 2025-së si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë!”, shkroi shkurtimisht lideri i opozitës.

Çka ndodhi?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ato do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Osmani, përmes një postimi në Facebook, të premten.

“Urime”, ka shkruar Osmani shkurt, derisa ka publikuar vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në dekretin e nënshkruar nga Osmani, presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.