Në prag të nisjes së fushatës zgjedhore, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim mobilizues me strukturat e partisë në Ferizaj, duke theksuar rëndësinë e organizimit, angazhimit dhe unitetit për sfidat që i presin.
Përmes një mesazhi, Abdixhiku u shpreh se takimi është karakterizuar nga entuziazmi, vullneti dhe energjia pozitive e aktivistëve, derisa potencoi se fitoret arrihen vetëm me njerëz që besojnë dhe nuk dorëzohen.
“Me entuziazëm, vullnet e energji të mirë, folëm për organizimin, angazhimin dhe punën që kemi para. Sepse fitoret ndërtohen me njerëz që besojnë, me njerëz që punojnë dhe me njerëz që nuk dorëzohen”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka vlerësuar veçanërisht mbështetjen që, sipas tij, LDK-ja ka gjetur vazhdimisht në Ferizaj, duke e cilësuar këtë qytet si një prej shembujve më të fortë të bashkimit dhe besimit politik.
“Ferizaj ka ditur gjithmonë ta kthejë besimin në forcë, e forcën në rezultat. Tash, me zemër e angazhim, ecim përpara bashkë”, thuhet në mesazhin e tij.
Takimi në Ferizaj vjen në kuadër të përgatitjeve të LDK-së për fushatën e ardhshme, ku partia synon mobilizim të strukturave dhe prezantim të programit të saj politik në gjithë vendin.







