Abdixhiku: LDK-ja do të rikthehet në gjithë Rajonin e Dukagjinit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vizitoi sot Deçanin, Junikun dhe Klinën, ku u prit nga anëtarë, struktura dhe qytetarë të këtyre komunave nga Dukagjini.

“Deçani është vend i mundësive të mëdha, falë resurseve të shumta që i ka, e që ia fali Zoti. Ndërsa, ne kemi program për zhvillimin ekonomik të komunës tuaj. Kemi ekip të përgatitur mirë, listë të dëshmuar e të pastër me kandidatë për asamble komunale, si dhe kemi të parën grua kandidate për kryetare të komunës, e cila do të jetë edhe e para grua që do të udhëheq me Deçanin e bukur, znj. Hyrie Dobrunaj”, u tha Abdixhiku të pranishmëve.

Më tej, kryetari Abdixhiku, theksoi se LDK-ja i njeh sfidat dhe problemet e Deçanit, bashkë me përgjegjësit që i kanë shkaktuar ato, ndërsa shtoi se drejtimi i gishtit drejt përgjegjësve nuk do të jetë kauza e LDk-së, ngase, siç tha ai, kohën ia kanë kushtuar zgjidhjeve të duhura që janë brenda planit  për zhvillim të mirë e të qëndrueshëm të këtij vendi të bukur.

“Jam i bindur se Deçanit do t’i prijë një grua e fortë dhe e suksesshme, një ndërmarrëse e jashtëzakonshme dhe e dëshmuar, Hyria jonë dhe e juaj. Ajo e ka prioritet njeriun, si atë që jeton në Deçan ashtu edhe atë që me zemër është aty, ndërsa me punë jeton e vepron në mërgim. Hyria, e ka në fokus zhvillimin e më të bukurës së Deçanit – natyrën, ku synon që ta shndërrojë atë në destinacion të veçantë turistik, ashtu siç edhe me të drejtë e meriton”, tha Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku ndaloi edhe në Junik, ku bashkë me struktura dhe anëtarë të degës së kësaj komune, bëri homazhe pranë shtatores së heroit Edmond Hoxha dhe lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të Junikut. “Sot, me përulje po nderojmë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne jemi krenarë me luftën e popullit tonë për liri e pavarësi”, tha kryetari i LDK-së.

Gjatë takimit me bashkëpartiakë, Abdixhiku tha se janë në rrugë të mbarë të rikthimit të LDK-së në pozitën e saj origjinale; si e para në vend, e rrjedhimisht e para edhe në këto zgjedhje lokale. “LDK-ja ka plan të detajuar për Junikun, jo vetëm për ta fituar, por për ta zhvilluar e për ta bërë komunë tërheqëse për investime”, theksoi Abdixhiku.

Klina, ishte ndalesa e fundit e kryetarit të LDK-së, gjatë vizitave që i bëri këtyre tri komunave të Dukagjinit. Në prani të bashkëpartiakëve të tij nga kjo degë, ai shprehu besimin se edhe kjo komunë do t’i takojë shtëpisë së madhe politike – LDK-së.

“Të rinj e të reja, gra e burra, njerëz të mirë e të devotshëm, entuziazmi, vullneti dhe vendosmëria juaj janë dëshmia më e mirë se shtëpia jonë politike është zemërmadhe, ngaqë të tillë e bëni ju, ndaj dhe kështu të bashkuar e të përkushtuar do të triumfojmë për të mirën e Klinës dhe të njerëzve të saj të mrekullueshëm ”, tha Abdixhiku.