Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia që ai drejton është e gatshme për fushatën elektorale dhe për mobilizim të plotë politik në të gjithë vendin.
Përmes një postimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se sonte, në selinë qendrore të LDK-së, është mbajtur një takim pune me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie. Ai e ka cilësuar takimin si energjik dhe të mbushur me përkushtim drejt fushatës zgjedhore.
“Me ekipet tona, veprimtarët tanë dhe kryetarët tanë, do të jemi në çdo qytet, fshat e lagje për thirrjen tonë të madhe se Kosova meriton qeverisje të drejtë, institucione që funksionojnë dhe politikë të matur që i shërben qytetarit”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, strukturat e LDK-së janë të lidhura dhe të koordinuara për ta çuar fushatën “deri në fund me dinjitet, me punë dhe me rezultat”. Abdixhiku ka theksuar se brenda partisë ekziston një ndjenjë e fortë gadishmërie dhe motivimi, duke vlerësuar se secili prej strukturave është i vetëdijshëm për peshën e momentit politik.
“Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për zhvillim. Dhe mbi të gjitha, për shpresë”, ka theksuar ai.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i LDK-së ka nënvizuar unitetin e partisë në këtë proces zgjedhor, duke thënë se beteja elektorale ka nisur si ekip dhe do të përfundojë po ashtu si ekip, me thirrjen: “Shpresë ka. Zgjidheni atë!”.







