Abdixhiku-Kusarit: Më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar rreth ngritjes së çmimeve në vend.

Një debat me polemika është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, raporton Demokracia.com.

Ky debat nisi pasi që Kusari-Lila theksoi se vetë Abdixhiku ka munguar nëpër komisione për çështje ekonomike.

Pas kësaj ka pasuar replika e deputetit Abdixhiku, e cila edhe solli mjaftë të qeshura në sallën e Kuvendit.

“Mimozë, unë e di që më shumë vërehet mungesa ime sesa prezenca jote. Dhe siç e di që këto fjalë lavdëruese që po duket se krejt tu kanë bo si shefi. I kam dëgjuar edhe për Hashimin, edhe për Behgjetin, e tash po i dëgjoj edhe për Albinin. Asgjë s’janë të reja, por të lutem mbaje nivelin e diskutimit korrekt pavarësisht se ku shërben e çfarë shërben, qëndrimet mbesin më gjatë. Edhe kur ke qenë në grupin tonë parlamentar në LDK kemi besuar në ekonomi të tregut, kemi besuar në tatime që lehtësojnë jetën qytetare, këto po i shtrojmë tani edhe në Kuvend në çdo pozicion që jemi”, ka thënë Abdixhiku, raporton më tutje Demokracia.com.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr asnjë masë dhe po refuzon gjithçka.

“E tani për Trustin, kur refuzoni çdo masë ekonomike në Kosovë atëherë edhe idetë e paqëndrueshme i bëni të qëndrueshme e të arsyeshme. Sepse s’po merrni asnjë masë, s’mundeni të qëndroni e të mos bëni asgjë e pastaj të kundërshtoni çdo masë”, theksoi Abdixhiku.