Abbott: Qeveria e re duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, palët të jenë të gatshme për kompromis

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë.

Diplomati britanik në një intervistë për Express është shprehur se në një proces negociatash siç është ai mes Kosovës dhe Serbisë dy palët duhet të jenë të gatshme për kompromis.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë prioriteti kryesor për cilëndo qeveri të ardhshme. Viteve të fundit, procesi e ka përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet, për shembull në lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar e përkrah plotësisht procesin dhe është e gatshme dhe e aftë të përkrahë secilën qeveri për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Abbott tutje tha se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel siç është ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të adresohet nga secila qeveri që vije.

“Secila qeveri do të duhet ta adresojë këtë çështje, bazuar në marrëveshjet që ekzistojnë. Është çështje kyçe dhe ndaj saj duhet qasur në mënyrë të hapur si pjesë e ndërtimit të një konsensusi kombëtar për normalizimin me Serbinë”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a beson se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa kompromis, Abott ka deklaruar se pa kompromis, negociatat e suksesshme vështirë se janë të qëndrueshme.

“Në çfarëdo negociatash, qofshin ato mes dy shteteve apo dy personave, duhet të ketë gatishmëri nga të dyja palët për kompromis. Pa kompromis, negociatat e suksesshme vështirë se janë të qëndrueshme. Është detyrë e cilësdo qeveri kosovare që ta përgatisë veten sa më plotësisht që është e mundshme dhe të ketë përkrahje publike me qëllim të sigurimit të negociatave të suksesshme”, ka deklaruar Abott.