Abbott: Pritja në Prishtinë e tifozëve britanikë, më e mira që ata kanë pasur në botë

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, duke ua uruar kosovarëve Vitin e Ri 2020, përmes një postimi në Facebook e ka vlerësuar pritjen e tifozëve të vendit të tij në Prishtinë, si pritjen më të mirë që ata kanë përjetuar në botë.

Ai është shprehur “falënderues për mikpritjen e ngrohtë që unë dhe familja ime kemi pranuar këtu”.

Në vazhdim postimi i plotë i ambasadorit Abbott në rrjetin social Facebook:

Gjatë kësaj sezone festive do të dëshiroja të ndaja me ju disa mendime dhe përshtypje nga katër muajt e parë në Kosovë. Ky është një vend me plotë jetë, i ri dhe me shumë potencial. Jam shumë falënderues për mikpritjen e ngrohtë që unë dhe familja ime kemi pranuar këtu.

Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të kaloj kohë me burrat dhe gratë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë muajve të kaluar. Ata përfaqësojnë më të mirët e Kosovës: profesionistë, të aftë dhe nga të gjitha komunitetet. Pjesëtarët e FSK-së kanë qenë ndër të parët që kanë ndihmuar ata në nevojë për shpëtim dhe asistencë pas tërmetit në Shqipëri muajin e kaluar. Aftësia dhe guximi i tyre është vlerësuar me të drejtë. Ne do të vazhdojmë të përkrahim FSK-në me asistencë dhe trajnime edhe në vitin 2020.

Në tetor LSM Sophie, Kontesha e Wessex ka vizituar Kosovën, ku u takua me të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt, duke theksuar rëndësinë e kësaj çështje. Në javët e kaluara ne kemi dëgjuar për raste të dhimbshme të stigmës që po vazhdon të ndikojë te viktimat e pafajshme, edhe brenda familjeve të tyre. Është koha që të gjithë ne ta ngremë zërin për të drejtat dhe dinjitetin e viktimave të këtyre krimeve të tmerrshme, t’ju ofrojmë përkrahje, solidaritet dhe t’i pranojmë ata.

Vikendi kur është mbajtur ndeshja e futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë në nëntor, do të jetë përgjithmonë një kujtim i veçantë për mua. Ngrohtësia e mikpritjes për tifozët anglezë ishte më e mira që ata kanë pranuar kudo në botë, dhe unë ende ndihem shumë i privilegjuar që kam pasur mundësinë ta përjetoj si ambasador britanik këtu. Pavarësisht rezultatit të lojës, kjo ngjarje ka ripërtërirë afërsinë në mes dy vendeve tona.

Përderisa i afrohemi fundit të vitit 2019, unë dua t’ju uroj Vitin e Ri 2020, me gëzime dhe prosperitet, përfundon postimi”.