Abazi tregon pse e anuloi Kurti takimin me Thaçin: Kryeministri i përgjigjet vetëm Kuvendit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka takuar sot kryetarët e partive parlamentare, por jo edhe kryeministri e vendit dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, për të cilin u tha se e ka anuluar takimin me Presidentin pesë minuta para se të mbahej ai.

Thaçi bëri të ditur se takimi me kryeministrin Albin Kurti ka qenë i konfirmuar që nga e premtja dhe pavarësisht anulimit të takimit të sotëm, ai është i gatshëm ta takojë.

“Do ta takojë kur mendon që është në interes të takohemi, por Kosova nuk ka kohë për të humbur që ti pres teket apo hujet askujt”, ka thënë Thaçi, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, lidhur me këtë është deklaruar edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, duke thënë se”… nuk është Albin Kurti lider i LVV vetëm, por Kryeminister i Vendit i ngarkuar me mbrojtjen, zbatimin e kushtetutës…”.

Postimi i plotë i Abazit:

“E para, takimet duhet të kenë axhendë, qëllim dhe arsye, dhe jo të mbahen sa për sy e faqe apo për të justifikuar një lloj legjitimiteti që Thaçi më nuk e ka. Dhe e dyta, nuk është Albin Kurti lider i LVV vetëm, por Kryeminister i Vendit i ngarkuar me mbrojtjen, zbatimin e kushtetutës e cila e garanton sovranitetin dhe integritetin e Republikës! Në shtetin parlamentar Kryeministri i përgjigjet vetëm kuvendit”, ka shkruar Abazi.

Presidenti Thaçi ka takuar sot edhe liderët e partive te tjera politike parlamentare, më përjashtim të Albin Kurtit nga LVV dhe ato te komuniteteve joshumicë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi javën e kaluar në një konferencë për media ka folur për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump për dialogun, ambasadorit Richard Grenell. Thaçi ka thënë se takimi në Uashington paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka kërkuar edhe nga Kryesia dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me takimin e tij me presidentin Vuçiq, në Uashington.

Por, meqë kryetarja e Kuvendit nuk e thirri seancën, Thaçi, përmes një konference për media ka informuar publikun lidhur me takimet e tij dhe procesin e dialogut me Serbinë.