Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, katër nga ta të mitur, pasi dyshohet se kanë larguar nga një shtyllë elektrike një flamur të Turqisë gjatë ditës së shënimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prizren.
Për këtë pati reagime të shumta, e kësaj radhe iu bashkëngjit edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
AAK-ja thotë se largimi i flamujve kombëtarë turq në Prizren nuk i përket karakterit të respektit që ndër shekuj kultivohet nga populli ynë.
“Ky është një rast i izoluar, por duhet të thuhet zëshëm, që akte si ky nuk i kontribuojnë kohezionit shtetëror. Aq më tepër, ndaj një komuniteti, populli e vendi mik. Ky komunitet, përpos kontributit në shtetndërtim, është urë lidhëse në miqësinë me popullin e shtetin turk”, ka thënë AAK-ja.
Kjo parti ka ftuar autoritetet përgjegjëse të veprojnë për të zbuluar motivet e “këtij akti të gabuar dhe të dëmshëm për vendin”.







