Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka nominuar sot kryetarin e partisë, Ramush Haradinaj, si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Po ashtu, është miratuar lista me 110 kandidatë për deputetë, e hartuar sipas parimit të përfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.

AAK ka prezantuar edhe slloganin e fushatës për këto zgjedhje: “Krah Teje”, si dhe programin zgjedhor të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.

Gjatë prezantimit, Haradinaj ka theksuar se kombinimi mes “lidershipit të guximshëm e vizionar”, listës gjithëpërfshirëse dhe programit ekonomik përbën themelin e ofertës së AAK-së për mandatin e ardhshëm.

Në programin ekonomik, AAK parasheh rritje vjetore ekonomike prej 7 për qind, si dhe rritje të GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit. Po ashtu, buxheti i shtetit, sipas këtij programi, do të rritet nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025 në 4 miliardë në 2026, duke arritur deri në 6.1 miliardë euro në vitin 2029.

AAK paralajmëron gjithashtu rritje të theksuar të pagave dhe pensioneve. Sipas planit, në vitin 2026 parashihet rritje prej 31 për qind, me pagën mesatare që do të arrijë në 1,100 euro dhe pensionet në 500 euro, varësisht nga kategoritë. Këto të ardhura, sipas subjektit, do të indeksohen në bazë të zhvillimit ekonomik dhe inflacionit.

Në fokusin e programit mbeten edhe investimet kapitale, të cilat AAK pretendon t’i rrisë mesatarisht me 61 për qind në vitin e parë të mandatit, duke arritur deri në 240 për qind në vitin 2029.

Në përfundim, Haradinaj tha se AAK hyn në zgjedhje me vizionin për “rikthim të normalitetit, zhvillim dhe mirëqenie, avancim të integrimeve euro-atlantike dhe forcim të partneritetit strategjik me SHBA-në”, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Krah Teje për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”