AAK

AAK me plotë kritika për buxhetin e vitit 2024: S’parasheh efekte reale, nuk siguron zhvillim dhe është stagnues

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me dhjetë konkluzione, përmes të cilave ka bërë një sërë kritikash për buxhetin e Kosovës për vitin 2024. Mungesa e konsultimit publik, mungesa e sigurisë për zhvillim dhe planifikimi minimal i projekteve janë disa nga kritikat e kësaj partie për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Si problematikë të parë në çështjen e buxhetit, AAK ka theksuar mungesën e konsultimit publik me sindikatat dhe mungesa e transparencën, që, sipas tyre, përbën shkelje të ligjit.

AAK gjithashtu ka theksuar mes tjerash se buxheti i vitit 2024 “nuk siguron zhvillim dhe është stagnues, po ashtu shtyn një eksod masiv”

Aty më tej thuhet se buxheti “nuk parasheh efekte reale, as në pagat në sektorin publik, e as në ekonominë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë”.

Postimi i plotë i Besnik Tahirit:

Dhjetë konkluzionet e tryezës për buxhetin 2024:

1. Ky buxhet nuk ka pasur konsultim publik

me sindikata, s’ka pasur transparencë dhe rrjedhimisht është shkelje e ligjit. Pra, është ligj që në nisje e shkel procedurën e ligjbërjes që e njeh korniza ligjore e Kosovës;

2. Buxheti i vitit 2024 nuk siguron zhvillim, është stagnues dhe me ndarje politike dhe elektorale;

3. Rritja ekonomike prej 3.5% e cila është me ulëta, tregon që ky buxhet nuk është zhvillimor. Këtë e konfirmojnë edhe raporte ndërkombëtare: raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ai i fundit i BE-së;

4. Buxheti i vitit 2024 është rritur vetëm për 102 milionë euro, që nënkupton se ky buxhet nuk është me rritje, por me ulje, për shkak se një masë e madhe buxhetore është bartë prej vitit 2023;

5. Buxheti i vitit 2024 nuk parasheh efekte reale, as në pagat në sektorin publik, e as në ekonominë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë;

6. Mungon buxhetimi i kontratës kolektive, që si rrjedhojë, kjo mund të sjellë të gjitha komunat në një bankrotim dhe dobësim të investimeve kapitale të cilat i bëjnë komunat;

7. Nuk parashihet as edhe një investim i drejtpërdrejtë i huaj kapital, në të njëjtën kohë 78 milionë euro ka kontraktim me negocim (kontraktim konfidencial të fshehtë);

8. Financimi i projekteve në këtë buxhet, në shumicën e rasteve, është financim minimal, që nënkupton se Qeveria ka qasje armiqësore ndaj komunave dhe nuk dëshiron zbatimin, respektivisht jetësimin e projekteve, duke alokuar buxhet minimal, e në disa raste edhe duke larguar;

9. Pagat – ulja apo rritja e tyre po e shtynë eksodin masiv. Pra, efekti se ky buxhet nuk siguron zhvillim dhe është stagnues, po ashtu shtyn një eksod masiv;

10. Buxheti i vitit 2024 është buxheti, i cili e saboton aspektin e sigurisë së Kuvendit.

Pesë kërkesa konkrete për amandamentim:

1. Kërkesa e parë vjen nga përfaqësuesit e sindikatave të sektorit publik për ngritjen e koeficientit nga 105 në 129;

2. Amandamenti për një vijë buxhetore për dëmet natyrore që mund të vijnë;

3. Amandamenti për kontratën kolektive;

4. Ligji i Buxhetit 2024 të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në dy parametra: në diskriminimin politik dhe denigrimin e disa komunave;

5. Të trajtohet në Prokurori rasti i 78 milionë eurove të investimeve kapitale.