AAK mbledh Këshillin Drejtues, caktohet 30 qershori për Kuvendin e Punës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbajti sot mbledhjen e Këshillit Drejtues. Në mbledhje u caktua data 30 qershor 2019, për Kuvendin e Punës. Në Kuvend të Punës do të paraqiten për aprovim ndryshimet statutare që ndërlidhen me procesin e reformës dhe fuqizimin e demokracisë së brendshme partiake.

Ndryshimet statutare kanë të bëjnë me themelimin e departamentit të gruas; themelimin e Institutit ‘Qendra për Hulumtim dhe Strategji’ si dhe komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve dhe nominimeve. Në këtë kuvend do të paraqitet për miratim Kodi Etik i hartuar konform modeleve të avancuara të partive nga demokracitë e avancuara. Në këtë Kuvend, do të paraqitet qasja e re e partisë karshi rritjes së vazhdueshme të anëtarësisë dhe ngritjes së popullaritetit nëpër të cilën po kalon AAK.

Këshilli Drejtues konform statutit, paraprakisht i aprovoi të gjitha këto dokumente, të hartuara me ekspertizën e organizatave që mbështesin forcimin e demokracisë.