AAK kërkon rinumërim të plotë, kundërshton LVV, Daka: Ja kur mund të ndodhë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon rinumërim të plotë të gjitha vendvotimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit. Megjithatë kjo kërkesë ka hasur në kundërshtim të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kryetarja e KQZ, Valdete Daka ka treguar se kur mund të ndodhë një skenar i tillë.

Përfaqësuesi i kësaj partie në KQZ, Ibrahim Selmonaj, tha se ka pasur parregullsi edhe në mes të partive politike të tjera. Sipas tij, vetëm një rinumërim i plotë do të pastronte të gjithë procesin zgjedhor.

“Në këtë rast bëhet fjalë për AAK-në që është e apostrofuar, por e vërteta është se ka edhe në mes të kandidatëve të tjerë të partive të tjera politike. Prapë unë kërkoj nga KQZ, kërkoj përkrahjen e juaj që të bëhet një rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces dhe të evidentohen të gjitha rastet”, tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se nuk mundet që të jap një mendim për këtë çështje sepse vendos KQZ-ja.

“Sa i përket rinumërimit total të cilin e propozoi Ibrahimi, nuk mundem me dhënë ndonjë mendim ajo është çështje e vendosjes së KQZ-së. Gjithsesi nëse merr përkrahjen e krejt KQZ-së atëherë edhe do të ndodh”, tha ajo.

Ndërsa, një rinumërim të plotë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

“Kërkesa për rinumërim të plotë tash i tejkalon edhe kërkesat ligjore. Unë mendoj se dallimet e mospërputhjeve relativisht mirë shihen ku janë dhe janë pa ku janë, unë e kuptoj tash duhet me fol hapur, unë e kuptoj se gjithmonë ata që marrin më pak vota, unë nuk po them që keni humbur as që ka humbur dikush, por që marrin më pak vota, natyrisht që nuk mund të jenë të kënaqur gjithmonë me rezultatin. Por, një rinumërim i plotë mandej merr karakter politik dhe i tejkalon caqet e karakterit juridik dhe unë mendoj se nuk është shenja që është i domosdoshëm rinumërimi i plotë. Një rinumërim i plotë do të ishte një shenjë e qartë se atëherë ky proces zgjedhor ka qenë krejt i kriminalizuar, krejt i keq”, tha ai.