AAK: Jemi të gatshëm të hyjmë në qeveri për të mirën e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e përjashton mundësinë që të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar sot partia e tij është e gatshme të “sakrifikohet për të mirën e Kosovës”.

“Mirëpo shpresoj që deri në mars do të krijohet qeveria. Unë nuk jam për zgjedhje, edhe pse ne jemi të përgatitur. Më tepër jemi për zgjidhje, dhe në këtë drejtim AAK-ja e ofron veten që mos të ketë vakum institucional apo krizë politike dhe çdo herë kemi qenë të gatshëm ta sakrifikojmë subjektin tonë për të mirën e Kosovës”, ka thënë Lekaj për “Ekonomia Online”.

Tre muaj pas zgjedhjeve nacionale, Kosova ende nuk e ka krijuar qeverinë e re.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkaq, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, ato nisën punë për harmonizimin e programit qeverisës.

Megjithatë, për shkak të mospajtimeve të caktuara, ato ende nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërkaq që negociatat, tash për tash, janë ndërprerë dhe ende nuk ka ndonjë paralajmërim që mund të ketë ndonjë nismë për vazhdimin e tyre.