AAK-ja me porosi për Kurtin: Vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 129 euro

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave duhet të jetë 129 euro ashtu që i njëjti, të shpëtohet.

Në një konferencë për media, gjersa nuk kurseu kritikat kundrejt Qeverisë Kurti, Tahiri ka thënë se askush do i besoj tregimit të Kurtit lidhur me kalkulimin e tejzgjatur të këtij ligji.

“Ka pasur dilema… u trajtua në diskutime… u miratua nga Presidentja dhe Kryeministri thotë se jemi duke e kalkuluar? Po si ka logjikë që 6 muaj të  mos kalkulohet kur dihet sa është buxheti, kur dihet vlera e koeficienteve, kur dihet vlera e tyre, renditja dhe del kryeministri të mashtrojë 80 mijë njerëz? Kush mendon se do e besoj këtij tregimi? Askush!”, ka deklaruar Tahiri gjersa ka theksuar se nëse Qeveria ka për qëllim që ky ligj të mos implementohet, e njëjta duhet ta thotë troç.

Krahas kësaj, Tahiri ka thënë se vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro në mënyrë që të mos ketë rënie drastike të pagave.

“AAK-ja e ka një porosi për Kryeministrin dhe Qeverinë. Në mënyrë që ky ligj të shpëtohet…vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro në mënyrë që të  mos ketë rënie drastike të pagave”, ka deklaruar Tahiri.

Ky i fundit ka thënë se duhet të ketë një përjashtim për gjyqtarët dhe prokurorët ngase për ta tashmë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tahirit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më kredibil, më superior ndaj ligjit në fjalë.

Të premten e 9 dhjetorit është miratuar në parim Projektligji për paga në sektorin publik me 68 vota pro.