AAK-ja e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidenti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se këtë javë do të nisë konsultimet me drejtuesit e subjekteve politike në vend, gati dy javë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, thotë se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidenti, i cili sipas tij do të mbahet për caktimin e zgjedhjeve në vend.

“Nuk jam informuar nëse Aleanca ka marrë ftesë, por Aleanca kur presidenti i thërret partitë politike do të marrë pjesë. Mendimi ynë vazhdon të jetë që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Mendoj që takimi i presidentit me përfaqësues të partive politike është për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje gjatë muajit shtator ose në tetor të këtij viti.

“Afatet kushtetuese duhet të respektohen dhe asgjë më shumë. Duhet të shkohet në zgjedhje gjatë shtatorit ose më së largu gjatë fillimit të tetorit, por kjo varet nga ajo se çfarë thuhet në Kushtetutë”, ka deklaruar ai.

loading…