Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka vendosur për koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA.

Në tekstin e deklaratës thuhet se AAK dhe NISMA Socialdemokrate lidhin marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e përgjithshme të radhës 2024-2025.

“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në tekst.

Zyrtarizimin e këtij koalicioni e kanë bërë edhe në një konferencë të përbahskët për media mes kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

AAK dhe NISMA Socialdemokrate garojnë në një listë të përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme kurdo që ato të mbahen.

Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje, përfundon deklarata e përbashkët e AAK-së dhe NISMA Socialdemokrate e Kosovës.