Partia e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj i ka kërkuar falje Lidhjes Demokratike të Kosovës, për deklaratat që deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i bëri, duke e quajtur Isa Mustafën “xhenaze vertikale politike”.
Në një komunikatë dërguar mediave, nga AAK kanë shkruar se besojnë që gjuha që ka përdorur deputeti ka qenë e paqëllimshme.
“AAK i kërkon falje Ishkryeministrit Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha. Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, sipas AAK’së, partia e tyre është e përcaktuar për një gjuhë të kujdesshme në diskursin publik.
Për deklaratat e Bekë Berishës reagoi gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një komunikatë drejtuar mediave, nga LDK kanë shkruar se Berisha e ka shpallur të vdekur Mustafën.
“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.
Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Mirëpo, Berisha sot në një pronocim për Ballkani.info ka thënë se nuk i kërkon falje as LDK-së e as Isa Mustafës.
“Unë nuk kam çka me komentu për këtë gjë më shumë, LDK-ja le të vazhdon të vajtojë sa të dojë”, ka thënë shkurt Berisha. /Ballkani.info/







