A u bind Albin Kurti se në Shtëpinë e Bardhë nuk ka pasur kurrë thika mbi hartën e Kosovës?

Nuk mund ta gjeni asnjë politikan tjetër në Kosovë, përveç Albin Kurtit, që ka prodhuar deklarata të mbushura me plot dyshime për rolin e sponsorizuesit të pavarësisë së Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata më skandaloze e Albin Kurtit për rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi është ajo e dhënë në RTV Dukagjini, në qershor të vitit 2020, më shumë se dy muaj pasi që qeveria e tij ishte rrëzuar në Kuvendin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kurti kishte thënë disa herë se nuk shkon në Shtëpinë e Bardhë pasi aty që dy vite po qëndrojnë politikanë me “thika mbi hartën e Kosovës”.

“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës”, deklaronte Kurti.

Kjo deklaratë e tij ishte vazhdim i ushqimit të konspiracioneve që ai kishte filluar t’i deklaronte në publik, ndonëse nuk kishte asnjë fakt të vetëm. Paraprakisht, në marsin e vitit 2020, pra në ditën e rrëzimit të Qeverisë Kurti I, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ai kishte deklaruar se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë, pasi që marrëveshja është e gatshme në tavolinë.

“Po e theksoj se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidentëve, e nëse t’i s’pajtohesh duhet të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thoshte konspiracionisti Kurti.

Në po të njëjtën seancë të Kuvendit të Kosovës, Kurti kishte shkuar aq larg, saqë me përbuzje kishte folur për Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë, as në të gjelbërt, as në të kuqe.

Historia e mëvonshme tregoi se Kurti nuk kishte asnjë fakt të vetëm se në Shtëpinë e Bardhë po bëheshin plane ogurzeza për Republikën e Kosovës apo se do të lejoheshin të ndodhnin marrëveshje të tilla.

Për Kosovën në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rolin e tyre të pazëvendësueshmën të një historie që nisë para 100 vitesh, kur presidenti amerikan, Woodroë Wilson nuk kishte lejuar ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, e cila ishte mbajtur pas përfundimit të luftës së parë botërore. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, kulmojnë me rolin prijës të SHBA-së në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Prandaj, deklaratat e tilla të Kurtit, në atë kohë u panë me shumë shqetësim. Ato ishin vazhdimësi e një qasjeje që shpeshherë vlerësohej si ‘anti-amerikane’.

Të martën pasdite, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, u takuan në Uashington DC me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Ky takim entuziazmoi mbështetësit e Kurtit, sepse ai më në fund arriti të realizojë një takim të nivelit të lartë. Vetëm pak javë më parë, gjatë muajit maj, Kurti kishte qëndruar gati një muaj në SHBA, por vizita e tij ishte injoruar gati tërësisht. Të vetmin takim me zyrtarët e presidencës amerikane, Kurti e kishte zhvilluar me këshilltarin për siguri të presidentit Biden, Jake Sullivan. Takimi nuk ishte mbajtur në Shtëpinë e Bardhë dhe e vetmja foto nga takimi ishte tek shkallët, si një mesazh që duhej ta lexonte dhe kuptonte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /Demokracia.com/