A qëndron ideja që Feja Islame është pengesë për mosliberalizimin e vizave?

Vizita e komisionarit të Bashkimit Europian për zgjerim, Johannes Hahn ngjalli reagime të shumta, sidomos pas deklaratës së tij se Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Europian(BE) për liberalizimin e vizave në vitin 2019.

Hahn poashtu përmendi vitin 2020 si vit eventual për liberalizimin e vizave, por në të njëjtën kohë sugjeroi që kosovarët të mos jenë pre e limiteve kohore.

Kjo ngecje e procesit për liberalizimin e vizave ka rritur nacionalizmin brenda Kosovës duke e ngritur njëkohësisht skepticizmin ndaj Europës. Kështu së paku shihet nga reagimet publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shkruan Ballkani.info

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) thirren seancë të jashtëzakonshme në lidhje me mosliberalizimin e vizave duke kritikuar Qeverinë e Kosovës për “dështime diplomatike”.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovë vazhdimisht kanë deklaruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Bashkimi Europian (BE).

Deputeti i Nismas SocialDemokrate, Milaim Zeka gjatë fjalimit të tij shprehi bindjen e tij që liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur për shkak të përkatësisë fetare myslimane.

Zeka theksoi se gjatë takimeve me burokratët e Brukselit ka parë urretjen e tyre ndaj shoqërive myslimane dhe që fakori kryesor në mosliberalizimin e vizave ka qenë Feja Islame.

Feja Islame në trojet shqiptare ishte pranuar nga shqiptarët gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik. 96.1% e qytetarëve të Kosovës janë deklaruar si myslimanë gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

“Evropa është ndërtuar, jeton dhe vepron në bazë të teorisë së judeo-kristianizmit dhe çdo element që nuk është në këtë fundament, shumë vështirë përpihet në strukturat e BE-së”, kishte deklaruar akademik Nexhat Daci ditë më parë – duke e përforcuar tezen që Feja Islame ka ndikuar në mosliberalizimin e vizave

Por sa qëndron kjo tezë? Sipas atyre që pretendojnë që Feja Islame është pengesë për integrimet euro-atlantike të shqiptarëve bazohen tek qasja e BE-së ndaj vendeve myslimane, por dhe gjatë procesit të integrimit të Turqisë në Bashkimin Europian ku lideret turk akuzuan BE-në se arsyja kryesore e mospranimit të Turqisë në BE ka qenë identiteti islamik.

Sipas Rexhep Qosjes shqiptarët kanë dhe elemente orienale, jo vetëm oksidentale. Kultura dhe raca europiane e shqiptarëve e kombinuar me bindjen fetare islame krijon një lloj identiteti unik në Ballkan – sado që mundohemi të mos lidhim çështjen e fesë më gjeostategjinë diplomatike, dy të vërteta janë të qarta 1. Ndikimi dominues i fesë gjatë gjithë historisë së njerëzimit 2) Baza e krishterizmit tek Qytetërimi Perëndimor, përkatësisht Bashkimi Europian.

Ata që kundërshtojnë këtë tezë lidhen me deklarimin laik të Kosovës në të njëjtën kohë joinfiltimin politik të Islamit nga kosovarët.

Kosova deklarohet si shtet laik në bazë të nenit 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Poashtu shqiptarët njihen për tolerancë fetare gjatë gjithë historisë së tyre. Në të njëjtën kohë kosovarët janë populli më proamerikan dhe proeuropian në Europë, këtë e kanë dëshmuar dhe studimet ndërkombëtare. /Ballkani.info/