A pranoi Gjergj Dedaj ta lirojë zyrën e të kthehet në Kosovë?

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj është kthyer në Kosovë.

Edhe pse ai ishte zotuar që nuk do ta rrespektonte vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkim dhe se nuk do ta pranojë këtë vendim, i njëjti është parë sot në dalje të Prishtinës.

“Për këtë befasi jo të këndshme jam njoftuar edhe zyrtarisht. Ky është një vendim arbitrar, tendencioz, skandaloz i presidentes Osmani me të cilin ka shkarkuar shumicën e ambasadorëve të Kosovës nëpër botë. Kosova nuk e ka këtë komoditet për të bërë të tilla eksperimente për hakmarrje politike. Kosova dhe institucionet e saj do të duhej të merreshin në radhë të parë me pandeminë, njerëzit po vdesin, Kosova ka më së paku ose fare vaksina të kontraktuara dhe të blear. Gjendja është alarmante. Ka krim, ka vrasje, pothuajse çdo ditë. Institucionet e Kosovës duhet të merren me këto gjëra, me fatin e qytetarëve të Kosovës. Por, edhe në aspektin diplomatik, Kosova dhe liderët, në këtë rast edhe presidentja edhe ministri i jashtëm, do të duhej të merreshin me arritjen e njohjeve të reja të Republikës së Kosovës sepse janë edhe 5 vende brenda Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Në vend që të merren me problemet kryesore, esencilae të shtetit të Kosovës, ata merren me shkarkime jo vetëm të ambasadorëve. Por, si lajm dhe sukses të tyre e marrin një punë kur e kanë shkarkuar apo dëmtuar ndokënd, e në fakt duhet të jetë e kundërta. Ne dëshirojmë të dëgjojmë se është hapur një Ambasadë e re, është caktuar një ambasador i ri, është bërë një mision i ri diplomatik apo se Kosova aplikon për anëtarësim në UNESCO, OKB, në Interpol. Këto do të ishin suksese me të cilat do të duhet të merreshin liderët e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Dedaj.

Poashtu Dedaj para dy ditësh në “Facebook”, ka bërë edhe një shkrim ku ka thënë se në Kosovë ngdalë po bien maskat.